HADI
HADI - i biri i Titanit Kron dhe gruas së tij Resë, zoti i botës nëntokësore.Ishte djali i madh i Kronit dhe me vëllezërit e vet, Zeusin dhe Poseidonin, formonte trininë e zotërave supremë grekë.
Hadi
HADI - i biri i Titanit Kron dhe gruas së tij Resë, zoti i botës nëntokësore.Ishte djali i madh i Kronit dhe me vëllezërit e vet, Zeusin dhe Poseidonin, formonte trininë e zotërave supremë grekë. Kur lindi i ati ishte sundues suprem i gjithësisë, mirëpo frikësohej pa masë se ndonjëri prej fëmijëve të tij do t'ia rrëmbejë fronin. Prandaj pasardhësit e vet i gëlltiti posa i lindën dhe i burgoste në barkun e vet. Ata jetuan edhe më tutje, për arsye se, si qenie hyjnore, ishin të amshueshëm.
Nga ky fat ka shpëtuar vetëm Zeusi, djali i tij më i vogël, të cilin nëna e lindi fshehtazi dhe e strehoi në Kretë. Kur u rrit Zeusi, ndodhi pikërisht ajo prej çka friksohej më së shumti Kroni: u çua kundër babait, e detyroi që fëmijët e burgosur t'i lirojë dhe e ftoi në luftim. Vëllazërit e tij, Hadi dhe Poseidoni, iu bashkuan Zeusit dhe me aleatët e tjerë i ndihmuan që ta mposhtë Kronin dhe t'ia rrëmbejë pushtetin. Pas ngadhënjimit vëllazërit u morën vesh që trashëgimin e Kronit me short ta ndajnë ndërmjet tyre.
Zeusi e rregulloi që atij t'i takojë pushteti në qiell dhe tokë, Poseidoni e fiton pushtetin në det, ndërsa Hadi u bë sundues i gjithëpushtetshëm në perandorinë nëntokësore.Nuk mund të thuhet se Hadit i ka takuar me short pjesa më e mirë, por natyrës së tij të errët dhe të pamëshirëshme sundimi mbi botën nëntokësore i përgjigjej plotësisht. Dhe perandoria e tij nëntokësore ka qenë vërtet e tmerrshme: fshihej në thellësitë e tokës dhe në të kurrë nuk depërtoi rrezja e dritës së diellit.
E formonte rrafshin e zymtë përplot me lule të verdha të asfodeles ("lulja e vdekjes") nëpër të cilin rrejdhnin pesë lumenj, të cilët njëherit ishin edhe kufijt e saj: Stiksi, që i mbërthente të gjithë me përqafimin e akullt, Akeronti, lumë i vajtimit, Kokiti, lumi i pikëllimit, Piriflegetoni, lumë i zjarrtë dhe Leta e errët, ujërat e të cilëve bënin që të harrohet çdo gjë ç'është e kësaj bote.